Lexo

7 Marsi, Dita e Mësuesit

Dr.sc. Ferat Shala, fjalim në emër të Partisë Demokratike të Kosovës me rastin e seancës plenare për Ditën e Mësuesit.

Mësues të dashur dhe të respektuar, ju veteran të arsimit dhe ju punonjës arsimorë të të gjitha niveleve, Gëzuar 7 Marsi, Dita e Mësuesit!

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, Të nderuar e të respektuar mësues kudo që ndodheni,

Sot shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, andaj ky është një moment i rëndësishëm për të shprehur respektin, nderimin dhe vlerësimin për kontributin tuaj që keni dhënë dhe që po vazhdoni të jepni në edukimin dhe arsimin e brezave dhe në zhvillimin e shoqërisë sonë.

Që nga 7 marsi i vitit 1887, në ditën kur në qytetin e Korçës u hap mësonjëtorja e parë shqipe, mësuesit ishin ata që me sukses përmbushën detyrën kryesore të Lëvizjes Kombëtare të asaj kohe, të përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe.

Me këtë rast, dua të sjellim në kujtesën tonë, në mënyrë të veçantë kontributin dhe rolin e disa figurave të rëndësishme kombëtare, veprimtaria e të cilave ishte e lidhur ngushtë me punën dhe angazhimin e tyre të mësuesit në shërbim të kombit.

Ishte mësuesi dhe veprimtari i dalluar i çështjes sonë kombëtarë Fazli Grajçevci, i njohur si "simbol i flamurit", ai i cili jetën e tij e vuri në shërbim të atdheut. Ai i cili përmes profesionit të shenjtë të mësuesit dha kontribut të çmuar si veprimtarë, poet, intelektual dhe patriot në lëvizjen kombëtare gjatë viteve 60-të.

Në kujtesën tonë historike, mbetet i freskët kujtimi për mësuesin Shaban Jashari, kryefamiljarin e familjes legjendare Jashari dhe babai i komandantit legjendar Adem Jashari. Shaban Jashari, si njëri ndër mësuesit e parë të Drenicës, përkundër misionit të shpërndarjes së dijes, i kishte vënë vetës edhe misionin patriotik për çlirimin e Kosovës, të cilin e përmbushi në mënyrë dinjitoze dhe të papërsëritshme.

Ndalemi dhe kujtojmë po ashtu edhe nëntorin e vitit 1997 dhe rënien e mësuesit Halit Geci, nga Lausha e Skenderajt. Mësuesin që ra në oborrin e shkollës duke e kryer detyrën e tij të shenjtë, gjatë betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave ushtarako-policore serbe.  Kujtojmë momentin historik kur në varrimin e tij, në shenjë respekti dhe nderimi morën pjesë mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova, dhe kur ndodhi dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nuk ka se si të mos e kujtojmë me këtë rast edhe aktin historik, të rënies heroike të Tre Dëshmorëve të Shkollës Shqipe”, që në janarin e vitit 1992 në fshatin Uçë të Istogut, ranë në mbrojtje të nxënësve që mbanin mësim në oda-shkolla.

E kur flasim për vitet e 90-të, kujtojmë dhunën dhe angazhimin e regjimit serb për shkatërrimin e arsimit shqip në Kosovë, përndjekjen dhe burgosjen e mësuesve tanë. Por njëkohësisht kujtojmë edhe përpjekjet e shoqërisë sonë për të mbajtur gjallë arsimin shqip përkundër të gjitha këtyre sakrificave.

Kujtojmë me nderim dhe respekt edhe qindra mësues dëshmorë dhe martirë që ranë gjatë luftës çlirimtare në Kosovë. Kujtojmë dhe i kemi ende të freskëta në memorien tonë shkollat tona të djegura nga dora vrastare e regjimit ushtarako-policor serb, shkollën në tenda gjatë kohës së luftës në Malet e Berishës, apo edhe shumë shkolla të tjera që ishin shndërruar në kazerma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dua të ndalem pak në periudhën e pasluftës dhe të vë në spikamë përpjekjet dhe angazhimet për rimëkëmbjen e arsimit në Kosovë, që ishin të orientuara në përmirësimin dhe rikonstruktimin e infrastrukturës arsimore dhe profesionale.

Përpjekjet për zhvendosjen e arsimit nga kontejnerët dhe tendat në një infrastrukturë moderne në zonat urbane dhe në ato rurale. Përpjekjet për reforma në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë.

Ndalemi dhe sjellim në kujtesë edhe kontributin e institucioneve të Kosovës, e në veçanti Qeverisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Arsimit në orientimin e investimeve në sektorin e arsimit.

Nën udhëheqjen e Partisë Demokratike të Kosovës, u investuan miliona euro jo vetëm në infrastrukturën arsimore por edhe në ngritjen dhe zhvillimin e Universiteteve të reja Publike. Gjatë kësaj periudhe kohore Kosova u bë me 6 Universitete Publike të profileve të ndryshme, që përveç në Prishtinë, u shpërndanë edhe në regjione tjera si: Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan me qëllim të përshtatjes ndaj kushteve dhe nevojave dhe ofrimit të mundësive më të mira për studim. Ishte kjo periudha, kur ju kthye me plot kuptimin e fjalës dinjiteti mësimdhënësve dhe punonjësve të arsimit me ngritjen e pagave të tyre. Paga këto që tek profesorët universitarë ishin dhe mbesin më të lartat në rajon.

Përpjekjet për të mbrojtur të drejtën për arsim dhe fjalën e lirë shqipe vazhdojnë edhe sot në forma dhe mënyra të ndryshme. Padyshim që pjesë e këtyre përpjekjeve është edhe ish mësuesi Jakup Krasniqi, ish zëdhënësi i UÇK-së, i cili në Hagë po mbron luftën e drejtë të UÇK-së, pjesë e së cilës ishin mijëra mësues të tjerë anë e kënd Kosovës.

 Sot më shumë se kurrë Kosova, ka nevojë që të mbështetet prapë tek mësuesit e saj. Sot Kosova ka nevojë që arsimin ta vë në prioritetet kryesore, duke zbatuar reforma të cilat do ti përshtaten tregut dhe nevojave të shoqërisë dhe të cilat do të jenë në shërbim të zhvillimit të shtetit.

Si dikur edhe tani roli i mësuesit mbetet kyç në vënien e shoqërisë sonë në binarët e zhvillimit dhe prosperitetit. Kemi qenë, jemi dhe do të jemi krenarë me mësuesit tanë. Kontributi, sakrifica dhe angazhimi i mësuesve tanë ndër vite i ka dhënë vulën proceseve historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova.  

Mësues të dashur dhe të respektuar, ju veteran të arsimit dhe ju punonjës arsimorë të të gjitha niveleve, Gëzuar 7 Marsi, Dita e Mësuesit!

 


Qeveritë janë për të gjetur zgjidhje, jo për të krijuar konflikte!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me gjendjen në arsim...

Lexo më shumë...

Qeveria e emergjencave dhe kriza energjetike!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...

Disa rekomandime për lehtësimin e krizës energjetike në Kosovë

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...