Lexo

Ditë të vështira për mbrojtjen e mjedisit!

Opinion autorial i Dr.sc. Ferat Shala, për zhvillimet aktuale në sektorin e mjedisit, me rastin e shënimit të 5 Qershorit - Ditës Botërore të Mjedisit

Sikurse qeveria e sapo zgjedhura Hoti, ashtu edhe ajo e kaluara Kurti, çështjen e mbrojtjes së mjedisit e trajtuan si fare të parëndësishme në kuadër të përbërjes dhe strukturës së qeverisë.

Prioritetit i trajtimit të çështjes së mbrojtjes së mjedisit i kësaj qeverie, ashtu sikurse edhe ai i asaj paraprake, u vërejt qysh në fillim të formimit të qeverisë me rastin e bashkimit të ish Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë me Ministrin e Ekonomisë në qeverinë Hoti dhe me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës në qeverinë Kurti.

Bashkime të tilla, lëre më që nuk janë natyrale dhe nuk janë praktika që hasen në ndonjë vend të botës, por janë në kundërshtim të plotë me misionin që ka mbrojtja e mjedisit.
Dihet mirëfilli që në parim misioni i mbrojtjes se mjedisit është zbatimi i mekanizmave dhe instrumenteve që kanë për qëllim të zvogëlojnë dhe parandalojnë ndikimet negative në mjedis nga projektet zhvillimore ekonomike dhe infrastrukturore dhe nga sektorët tjerë e ku ekonomia dhe infrastruktura janë ndër sektorët që kanë ndikimin më të madh.

Duke qenë në të njëjtën ombrellë mjedisi dhe zhvillimi ekonomik ku përfshihet energjia dhe industria apo edhe infrastruktura dhe transporti është e vështirë të realizohet misioni i mbrojtjes së mjedisit. Është shumë e vështirë të bëhet parandalimi i ndikimeve mjedisore dhe mbi të gjitha është konflikt i drejtpërdrejtë i dy koncepteve që për të funksionuar mirëfilli duhet të jenë të ndara dhe në shërbim të njëra tjetrës e assesi të bashkuara në një tërësi të vetme.
Andaj lirisht mundë të thuhet se trajtimi në këtë formë i dikasterit të mbrojtjes së mjedisit në kuadër të këtyre dy qeverive është lënë tërësisht nën hijen e sektorëve tjerë dhe se trajtimi i çështjeve mjedisore nuk është në nivelin që kërkohet për të ofruar një mbrojte dhe menaxhim të qëndrueshëm të resurseve natyrore dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit, ujit dhe tokës apo edhe për zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Konceptet moderne të menaxhimit të mjedisit promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore ku sektorët zhvillimorë sikurse janë ekonomia, industria, energjetika, transporti dhe infrastruktura duhet të zbatojnë parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të përmbushin standarde mjedisore duke iu nënshtruar instrumenteve dhe mekanizmave që rekomandohen nga dikasteret e mbrojtjes së mjedisit, e assesi që mjedisi të jetë pjesë e dikastereve përkatëse zhvillimore vetëm si një dekor apo formalitet i parëndësishëm.

Një çështje tjetër po ashtu e rëndësishme që është neglizhuar skajshëm dhe në mënyrë aspak profesionale nga të dy Qeveritë në fjalë është edhe çështja e ndërrimit të emërtimit nga “mjedis” në “ambient”. Ky ndryshim i emërtimit përveç që zëvendëson një fjalë shqipe me një fjalë të huaj na kthen 20 vite prapa. Qysh nga koha e formimit të institucioneve të para qeverisëse të Kosovës, janë hartuar ligje, udhëzime, rregullore, plane, programe e strategji ku gjithmonë është përdorur fjala “mjedis”. Tani me emërtimin e ri “ambient”, krijohen jo vetëm telashe ligjore, administrative dhe konceptuale por edhe organizative dhe strukturore meqenëse të gjitha emërtimet e strukturave tjera administrative të nivelit qendror dhe lokal përfshirë agjenci, departamente, drejtori e sektorë përdoret fjala “mjedis” dhe jo “ambient”.

Bazuar në këtë qasje lirisht mundë të thuhet se sektorin e mbrojtjes së mjedisit e presin ditë të vështira dhe se degradimi mjedisor pritet të përshkallëzohet edhe më tutje!

 

Dr.sc. Ferat Shala, Prishtinë, 05.06.2020

 


Copëza historie nga Malet e Zatriqit!

Gjurmë të një ndër rrugëve më të vjetra të Kosovës. ...

Lexo më shumë...

A është momenti i duhur për të mbështetur zhvillimin e ekoturizmit në Kosovë?

Tani kur po diskutohet shumë për pakon ekonomike për mbështetjen e bizneseve për rimëkëmbje nga pasojat e pandemisë COVID19, vlerësoj që një nga fushat ku duhet të orientohet kjo mbështe...

Lexo më shumë...

Në emër të popullit – me përfaqësim 11 %!

Dr.sc. Ferat Shala, shkrim autorial mbi zhvillimet e fundit politike në vend...

Lexo më shumë...