ATLAS i Mineraleve të Trepçës

ATLAS i Mineraleve të Trepçës

Autorët: Bedri Durmishaj, Sylejman Hyseni dhe Ferat Shala, sapo kanë publikuar projektin e tyre shkencor mbi mineralet e Trepçës, të përmbledhur në një atlas, të parin të këtij lloji në shkencën e gjeologjisë shqiptare, me titull "Atlas i mineraleve të Trepçës".

Ky atlas, ndërkaq, përmbledh të gjitha të dhënat mbi vendburimin dhe veçoritë unike të mineraleve të Trepçës, të ilustruar me fotografi të standardeve që gjejnë zbatim në atlaset bashkëkohore shkencore. Atlasi i mineraleve të Trepçës do të jetë i dobishëm për studentët e gjeologjisë, por edhe të profile të tjera shkencore, sikurse do të jetë interesant edhe për lexues të rëndomtë, të cilët përmes këtij atlasi do të kenë mundësi të njihen me bukuritë mahnitëse të kristaleve të Trepçës.

Me botimin e këtij atlasi plotësohet një zbrazëtirë që ka ekzistuar në literaturën gjeologjike, në veçanti për fushën e mineralogjisë. Atlasi është i ndarë në disa kapituj, dhe atë: "Historia e Trepçës dhe pozita gjeografike", "Mineralizimet polimetalore në brezin xeheror të Trepçës", "Gjeologjia e rajonit të Trepçës", "Vendndodhja dhe morfologjia e trupave xeherorë", "Mineralogjia dhe gjeneza e vend-burimit Trepça në Stantërg", "Mineralet dhe klasifikimin i tyre", "Njohuri të përgjithshme për mineralet dhe klasifikimi i tyre", "Muzeu i mineraleve të Trepçës", "Rëndësia e muzeut të mineraleve të Trepçës", "Të dhëna teorike mbi disa veçori të mineraleve dhe përdorimi i tyre", "Elementet e lindur (native)", "Sulfuret dhe sulfokripërat", "Oksidet dhe hidroksidet" etj.