Lexo

Shala: Do të marrim masa ndaj ndotësve të ajrit

Në intervistë për gazetën “Zëri”, ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Ferat Shala, ka thënë se Prishtina nuk është qyteti me ajrin më të ndotur në botë siç është krijuar perceptim, megjithatë institucionet e vendit do të jenë të pamëshirshme ndaj ndotësve të mjedisit.

25.12.2016- Është krijuar një perceptim se Prishtina është qyteti me ajrin më të ndotur në botë, mirëpo kjo nuk është reale. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, duke shtuar se Kosova sa i përket ndotjes së ajrit është përafërsisht në të njëjtin në nivel me vendet e rajonit dhe me ato të Bashkimit Evropian.

 Megjithatë, Shala ka thënë se institucionet e vendit do të jenë të pamëshirshme ndaj ndotësve, për çka ka bërë të ditur se është kërkuar edhe nga Qeveria që të zbatohen ligjet dhe aktet tjera nënligjore sa i përket sanksionimit të ndotësve të ambientit.

Shala gjithashtu ka thënë se Ministria që ai drejton e ka prezantuar para Qeverisë, Planin e Veprimit, plan ky që sipas tij, në detaje i sqaron shkaqet e ndotjes dhe masat që duhet të ndërmerren.

Ndotësit kryesorë sipas Shalës janë: termocentrale, ekonomitë familjare të cilat përdorin thëngjillin, bizneset tjera si dhe automjetet.

Ai gjithashtu ka thënë se javët e fundit ka ndikuar negativisht edhe mungesa e erërave për ta larguar ajrin e ndotur.

 Zëri: Sipas matjeve të fundit të ajrit, Prishtina është njëri ndër vendet me ajrin më të ndotur në botë aktualisht. A ka bërë Ministria e Mjedisit analiza për këtë çështje?

 Shala: Është krijuar një perceptim që Prishtina është qyteti më i ndotur, por kjo nuk ekziston. Kam të drejtë ta përsëris se Prishtina nuk bën përjashtim nga të gjitha qytetet e rajonit dhe as Kosova nuk bën përjashtim nga shtetet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian. Ideja është krijuar muajve të fundit, por që opinioni duhet të jetë drejt i informuar që ne jemi brenda gjithë kësaj situate të krijuar jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Është e vërtetë e madhe që krahasuar me limitet e lejuara dhe standardet e Bashkimit Evropian ne kemi tejkalime veçanërisht në muajt e fundit, tejkalime të normave të parametrave PM 10 dhe PM 2.5 që janë të theksuar veçanërisht në 16 ditët e fundit për shkak të situatës klimatike dhe për shkak të rritjes së faktorëve ndotës që janë përreth kryeqytetit. Pra kemi tejkalim të normave, por që nuk bën përjashtim me vendet e rajonit. Edhe vitin e kaluar kemi pasur një situatë të tillë, por që nuk ka qenë ky sensibilizim.

Ne po marrim të gjitha masat që drejt dhe qartë, opinioni të informohet për situatën, që vërtet nuk është e kënaqshme, por paralel kësaj ne po marrim masa tjera për ta parandaluar ndotjen e ajrit në Kosovë. Faktorët tashmë janë identifikuar, masat kemi filluar t’i marrim dhe presim në kontinuitet situatën ta ndryshojmë. Por duhet të jemi të sinqertë, situata e ndotjes së ajrit ka ndodhur, po ndodh dhe do të ndodhë me parametra të zvogëluar, por nuk ka asnjë mundësi që ne të garantojmë për një situatë të shpejtë dhe të shkurtër për rënien e kësaj, nëse vazhdojnë kushtet hidromterologjike të jenë të këtij niveli çfarë janë aktualisht. Ka edhe shumë faktorë tjerë ndikues, që është bërë edhe koncentrimi i këtyre parametrave, veçanërisht çështja hidrometeorologjike, do të thotë mungesa e lëvizjes së ajrit, gjegjësisht nuk ka erëra të mjaftueshme për ta shpërndarë këtë ndotje.

Termocentralet, ndotësit kryesorë

Zëri: Cilët janë shkaktarët kryesorë të ndotjes?

 Shala: Ndotësit kryesorë janë termocentralet, ekonomia familjare për shkak të sezonës që kanë filluar të djegin me përqindje të lartë thëngjillin, industria dhe pjesa tjetër e bizneseve të vogla, si dhe pjesa e infrastrukturës dhe e automjeteve që janë po ashtu komponentë në mesin e tri kryesoreve në ndotjen e mjedisit nga ajri.

 Zëri: janë publikuar disa lista të qyteteve më të ndotura në Botë, në të cilat Prishtina renditet edhe para qyteteve që njihen si më të ndoturat si: Pekini, Dhaka, Nju Delhi e kështu me radhë. Sa janë reale këto lista?

 Shala: Jo, nuk janë reale. Unë mund të them që shumë shtete, gjegjësisht qytete të Bashkimit Evropian ka ditë kur kanë qenë më keq. Ka ditë kur ne kemi qenë më mirë se Brukseli për shembull. Po krahasohemi me Evropën e nuk po shkojmë në Kinë, sepse nuk ekziston i njëjti nivel. Ka plot shtete të BE-së që janë në gjendje shumë më të keqe se ne. Ne nuk e kemi situatën që të  krijojmë alarme, situata është shqetësuese, situata do përmirësim, situata do vetëdijësim, situata do kulturë që nga ekonomia familjare deri tek institucionet më të larta të shtetit.

 Plani i Veprimit është miratuar nga Qeveria

Zëri: Çfarë masash do të merren gjatë ditëve në vijim?

 Shala: Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor gjatë tërë vitit kalendarik kemi qenë të vetëdijshëm për këtë situatë që po na pret dhe që ka ndodhur dhe kemi marrë masa të jashtëzakonshme, në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Tashmë jemi në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë si të brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Gjatë tërë vitit kemi inspektuar të gjithë ndotësit kryesorë që janë termocentralet dhe ekonomitë tjera, kemi identifikuar problemet bashkë me ekspertët japonezë dhe që kemi arritur marrëveshje bashkëpunimi, kemi thithur po ashtu një grant prej 4 milionë dollarësh që do të fillojë të zbatohet nga viti i ardhshëm nga qeveria japoneze, ku do të ndikojë direkt në përmirësimin e cilësisë së ajrit, monitorimin, ngritjen e kapaciteteve, vendosjen e teknologjive të reja. Pra, po punojmë dhe po investojmë në këtë çështje, por këto janë masa afatshkurtra, afatmesme si dhe afatgjata. Gjithashtu kemi ngritur trupa të veçantë, gjegjësisht kemi krijuar një Taskforcë të ekspertëve brenda Ministrisë dhe ky grup i ekspertëve tashmë ka hartuar një listë të gjerë të problematikave që janë shkaktarë të ndotjes.

Së fundmi, Ministria e Mjedisit konform kompetencave ligjore ka paraqitur para Qeverisë një Plan Veprimi për përmirësimin e gjendjes së cilësisë së ajrit në vend. Në këtë plan janë dhënë detaje për situatën e krijuar, për mënyrën e ndotjes së trashëguar dhe për hapat që po ndërmarrim. Në plan po ashtu janë tri periudhat kohore: afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjate. Brenda këtyre kapitujve janë sqaruar se cilët hapa praktikë shkencorë dhe juridikë duhet të merren nga institucionet e vendit, ne planifikojmë që ta fusim nën kontroll dhe ta disiplinojmë çështjen e ndotjes. Në kuadër të këtij plani janë shprehur qartë kompetencat ndërinstitucionale, kompetencat e Ministrisë së Mjedisit, kompetencat e ministrive tjera dhe institucioneve tjera, së bashku me masat që duhet të ndërmerren. Presim që pas këtij plani që është miratuar në Qeveri, secili institucione ta kryejë punën dhe obligimin që i takon.

Zëri: I përmendët termocentralet si njëri prej ndotësve kryesorë. A mund të merrni masa që t’i obligoni që të vendosin ndonjë filtër, apo për ndonjë veprim tjetër?

Shala: Kemi pasur takime edhe në nivel të menaxhmentit dhe kemi inspektuar ditëve të fundit disa herë termocentralet. Pas diskutimeve dhe analizës kemi nxjerrë edhe në kuadër të planit të veprimit hapat që duhet të ndërmerren në raport me ndotësit. Edhe me menxhamentim kemi diskutuar për mundësitë dhe alternativat që termocentralet të jenë sa më pak ndotës. Dihet që mbi 90% Kosova shfrytëzon resurset energjetike nga prodhimi i termocentraleve të cilët realisht janë ndotësit kryesorë, për fatin e keq janë edhe afër kryeqytetit dhe për fat të keq prapë, kemi trashëguar deponi që ndikojnë në ndotjen. Ata janë zotuar që do të ndërmarrin hapa, janë zotuar që po tentojnë të bëjnë të gjitha mundësitë që ata të jenë sa më pak të ndotshëm, por duhet ta kemi parasysh se teknologjitë e tyre janë të vjetruara, që tashmë do të duhej të dilnin jashtë prodhimit, por për shkak të situatës socio-ekonomike dhe zhvillimore të vendit ende shfrytëzohen.

Nuk ka ndonjë situatë që ne do të mund të nxirrnim ndonjë vendim të prerë për ta mbyllur termocentralin, por ne po marrim masa në koordinim me ta që ata të kenë sa më pak ndotës. Kanë intervenuar në termocentralin “Kosova A”, kanë disa plane afatgjata edhe që të zvogëlohet çështja e misioneve nga termocentralet. Janë disa hapa dytësorë që Ministria tashmë i ka adresuar, siç është çështja e koogjenerimit, sepse ata mund të ndihmojnë shumë kryesisht për kryeqytetin, Fushë Kosovën, Kastriotin dhe disa qytete përreth, ku ne bashkë me ta duhet ta nxjerrim nga përdorimi djegësen e qymyrit për ekonomitë familjare. Po ashtu do të nxjerrim rekomandim që KEK-u duhet ta ndërpresë çështjen e shitjes së shitjes së thëngjillit për djegëse në ekonominë familjare. Duhet ta ndërpresë sepse nuk është e përshtatshme, është tepër ndotëse. Një praktikë të tillë KEK-u e ka vazhduar tash e sa vite edhe me punëtorët e vet. Por duhet të gjinden modalitete që punëtorët të stimulohen në forma tjera e jo me dhënien e thëngjillit për djegie.

Duhet të zbatohen sanksionet ligjore

Zëri: A parashihen gjoba për ndotësit?

 Shala: Po, legjislacioni është në fuqi, kemi kërkuar në kuadër të Planit edhe në Qeveri që të zbatohet legjislacioni sepse është i qartë, është i kompletuar, janë ligjet, janë dhjetëra udhëzime administrative që e rregullojnë këtë fushë. Pra, zbatimi i legjislacionit është njëri ndër pikat apo masat e veprimit dhe këtu do të jemi të pamëshirshëm për shkelësit e kësaj. Kemi filluar procedurat dhe kemi paraqitur edhe dhjetëra fletëparaqitje ndaj shkelësve të ligjit dhe ndaj atyre që po shkaktojnë ndotje.

 Zëri: Në Mal të Zi dhe Maqedoni qytetarët subvencionohen nga shteti që investojnë në ngrohje me pelet, për të mos u ngrohur me qymyr dhe dru. A ka ndonjë ide të tillë edhe në Ministrinë që e drejtoni?

 Shala: Secili shtet ka specifikat e veta, por ne në kuadër të Planit të Veprimit kemi parë mënyrën se si duhet të orientohen politikat mjedisore të institucioneve tona në raport me këtë situatë, por edhe në raport me politikat e përgjithshme të mjedisit në Kosovë. Ne kemi nevojë si shtet, si shoqëri, t’i rishikojmë politikat tona afatmesme dhe afatgjata mjedisore, sepse edhe kemi trashëguar ndotje nga e kaluara edhe sot për shkak të specifikave socio-ekonomike kemi shkallë të lartë të ndotjes. Edhe peleti, por edhe metodat tjera mund të përdoren me një rishikim të politikave, por kjo çështje nuk është vetëm obligim i një dikasteri si Ministria e Mjedisit, por involvohen dhjetëra sektorë, ndërmarrje publike, institucione lokale, qendrore e tjera. Sepse çështja e ndotjes duhet të luftohet në burim e jo në rrugë e sipër apo kur ndodh ndotja.

Ne nuk kemi kontroll të mirë të cilësisë së derivateve kur hyjnë në Kosovë. Nuk kemi të dhëna të mjaftueshme se sa KEK-u shet për tregun e lirë thëngjill dhe sa shkon për tregun e ekonomive familjare. Por të dhënat tona tregojnë se këtë vit ka 15-20% më shumë përdorim të thëngjillit për ekonomitë familjare. Po ashtu kemi Ministrinë e Infrastrukturës që ka disa udhëzime administrative që ne po ashtu kemi udhëzuar që të ndryshohen si çështja e importit të veturave, çështja e menaxhimit të kontrolleve teknike sepse kemi automjete edhe me moshë tepër të vjetër. Prandaj shteti duhet t’i rishikojë politikat mjedisore dhe mund të merren përvoja për sanksionimin e ndotësve dhe për subvencionimin e atyre që dëshirojnë të përdorin ekomakina për shembull.

Zëri: E përmendët çështjen e veturave të vjetra. A mendoni se duhet të caktohet një moshë e veturave që mund të importohen, apo ndoshta edhe që të bëhen disa lirime sa i përket çështjes së importimit të veturave më të reja?

 Shala: Çështja e vjetërsisë së veturave është pak relative. Nuk prish punë nëse është mosha e vjetër, por ne duhet të krijojmë mekanizëm kontrolli që ai të jetë kompatibil me kriteret dhe standardet e mjedisit. Nëse makina e vjetër i është nënshkruar procesit teknik dhe i janë vendosur pajisje që nuk krijojnë ndotje le ta mbajë dikush, qoftë edhe si relikt, qoftë për dëshirë, por ai duhet ta ketë një taksë shtesë, sepse nuk mund të jetë i subvencionuar njësoj sikur ai që përdor makina të vjetra e që e ka shkallën e ndotjes më të lartë sikur ai që paguan shumë më shtrenjtë, merr një makinë e kështu me radhë. Gjithkund në botë ndotësi paguan, në cilindo nivel qoftë. Prandaj, këtu duhet të qartësoj politikat tona nga Ministria e Infrastrukturës dhe duhet ta rrisim shkallën e implementimit dhe zbatueshmërisë së udhëzimeve administrative që janë në fuqi tashmë.

 Zëri: Cili është roli i Komunës së Prishtinës në parandalimin ndotjes së ajrit dhe sa keni bashkëpunim me këtë komunë?

 Shala: Ne i kemi ngritur disa trupa të bashkëpunimit dhe mund të them se kemi bashkëpunim të shpeshtë por që pjesë aktive në këto masa duhet të ketë pushteti lokal, nën një dihet infrastruktura në kryeqytet, nën dy planet urbane, rregulluese, trafiku, të gjitha këto duhet të harmonizohen konform strategjive dhe veprimeve mjedisore, lejeve të ndryshme mjedisore e kështu me radhë. Por veçanërisht është e rëndësishme që të themelohen ose riaktivizohen trupat e inspekcioneve komunale për t’i identifikuar dhe për t’i parandaluar ndotësit komunalë.

Intervistoi: Albert Ahmeti

Burimi: http://zeri.info/


Të nderuar simpatizantë dhe përkrahës!

Sikurse është konfirmuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të votave të fituara në zgjedhjet parlamentare të 6 Tetorit, unë jam zgjedhur deputet i Parlamentit të Kosovës....

Lexo më shumë...

Automjetet dhe mjedisi

Nga: Prof.asoc.dr. Ferat Shala & Msc. Liridon Sejdiu...

Lexo më shumë...

Urime PDK!

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), shënon 20-vjetorin e themelimit të saj....

Lexo më shumë...