Lexo

Sulmi i dytë mbi familjen Jashari, emblemën e lirisë së Kosovës!

Sot bëhen 21 vjet nga sulmi i dytë i forcave ushtarake e policore serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz. Në orët e hershme të mëngjesit të 22 Janarin të vitit 1998, nga Fabrika e Municionit, rreth 500 metra larg lagjes Jashari në Prekaz, forca të policisë serbe, u nisën drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

Ky sulm nuk ishte i rastësishëm pasi që shërbimi sekret serb kishte identifikuar Kullën e Jasharëve në Prekaz si një nga pikat më të forta të rezistencës që atë kohë kishte filluar të merrte përmasa në gjithë Kosovën. Komandanti legjendar Adem Jashari, atë ditë nuk ndodhej në shtëpi, por rezistencën ndaj forcave serbe e organizuan dhe e bënë Shaban dhe Hamëz Jashari së bashku me nipa e mbesa. Pas disa orësh lufte dhe rezistence, forcat pushtuese serbe detyrohen të tërhiqen, duke pësuar humbje sërish.

Ky sulm nuk ishte sulmi i pare i forcave ushtarake policore serbe ndaj familjes Jashari, sikurse që nuk ishte sulmi i fundit. Familja Jashari i kishte rezistuar edhe një sulmi tjetër të mëhershëm me 30 dhjetor të vitit 1991.

Duke mbrojtur pragun e shtëpisë dhe me vendosmëri për të mos lejuar armikun të shkelë në këtë tokë gjatë sulmit të 22 janarit kishin mbetur të plagosura Selvete Jashari, vajza e Hamzës, e cila, pas marsit të përjetësisë, do të bëhej dëshmore dhe Ilirjana Jashari, vajza e Rifatit.

Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar dhe për ti mbështetur ata. Shumica i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërhiqte gratë dhe fëmijët nga aty. Por, e gjithë familja përfshirë edhe gratë dhe fëmijët kishin vendosur që të qëndrojnë të bashkuar. Ashtu edhe vepruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre. Trimat e Jasharajve ishin betuar për t’u flijuar për atdhe, dhe për të mos lejuar asnjëherë sundimin serb.

Sulmi i datës 22 janar të vitit 1998 i parapriu sulmit tragjik të marsi të po atij viti, në të cilën komandanti legjendar Adem Jashari do të binte heroikisht bashkë me gjithë familjen e tij, për të lënë gjurmë të pa shlyera përjetësie në historinë tonë më të re. Duke dhënë shembullin më unik në botë të flijimit për liri e dinjitet.

Familja Jashari me qëndresën dhe sakrificën e tyre do ti tregonte botës se çfarë çmimi dhe vlere ka liria për shqiptarët, duke vënë gjakun e tyre në themelet e Kosovës së lirë dhe të pavarur.

Çdo sulm që ka përjetuar, çdo rezistencë që ka bërë, dhe çdo veprim që ka ndërmarrë kjo familje emblematike shqiptare ka bërë që të kujtohet përgjithmonë, për sa kohë ndërgjegjja jonë kombëtare të ketë frymë.

Shënimi i kësaj ditë është i një rëndësie të veçantë, për të mbajtur të gjallë dhe të paharruar kujtimin për ëndrrat dhe idealet që kishin pjesëtarët e kësaj familje për lirinë.

Kjo ngjarje duhet të kujtohet gjithmonë edhe për të kujtuar padrejtësinë që regjimi ushtarako policor serb kishte bërë ndaj familjeve shqiptare pa dalluar gra, fëmijë dhe pleq.

Përkujtimi i kësaj ditë duhet të na shërbejë edhe si një motiv për ti thirrur ndërgjegjes sonë për rezistencën dhe sakrificën që ka bërë kjo familje, në emër të ruajtjes dhe mbrojtjes së drejtësisë, lirisë dhe të ardhmes sonë.

Amaneti i dëshmorëve dhe martirëve na thërret që asnjëherë të mos e harrojmë sakrificën, mundin dhe gjakun e derdhur për lirinë që sot e gëzojmë.

Vetëm duke e ndjerë këtë dhimbje, duke e vlerësuar këtë sakrificë dhe duke përkujtuar e nderuar të rënët, ne do të bëhemi më të fortë dhe më të ndërgjegjshëm për të përmbushur amanetin e tyre, për të punuar dhe për tu përpjekur më shumë për të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve tanë.

Lavdi e përjetshme familjes Jashari, bijve e bijave të shqipes që dhanë jetën për liri.

Prishtinë, 22.01.2019

Ferat Shala 

 


Të nderuar simpatizantë dhe përkrahës!

Sikurse është konfirmuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të votave të fituara në zgjedhjet parlamentare të 6 Tetorit, unë jam zgjedhur deputet i Parlamentit të Kosovës....

Lexo më shumë...

Automjetet dhe mjedisi

Nga: Prof.asoc.dr. Ferat Shala & Msc. Liridon Sejdiu...

Lexo më shumë...

Urime PDK!

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), shënon 20-vjetorin e themelimit të saj....

Lexo më shumë...