Lexo

Deklaratat skandaloze të Ministres së Punëve të Jashtme dhe pasojat diplomatike e juridike për Kosovën!

Që nga koha e emërimit në postin e Ministres së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka bërë një varg deklaratash skandaloze që bien ndesh me qëndrimet e shtetit Kosovës dhe me interesat e saj, dhe që rrjedhimisht sjellin pasoja diplomatike dhe juridike për vendin.

05.05.2021- Ti rikujtojmë edhe njëherë disa nga këto deklarata dhe të radhisim disa argumente për pasojat që ato sjellin.

1. Në takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ajo tha: “Ne jemi të interesuar për një dialog të hapur për të kaluarën tonë të përbashkët dhe shpresojmë edhe për të ardhmen tonë të përbashkët”. Kjo deklaratë është një gabim historik dhe një mungesë totale e sensit diplomatik. Kosova kurrë nuk ka pasur të kaluar të përbashkët me serbinë dhe as që ka qenë pjesë e saj por e Jugosllavisë. Për 100 vjet me radhë Kosova ka qenë e okupuar nga Serbia. Ky është fakt dhe nuk e ndryshon dhe interpreton ndryshe askush e as zonja Schwarz.

2. Deklaratat e saja të vazhdueshme kundër përfaqësuesve të UÇK-së janë ndërhyrje në drejtësinë dhe janë pozicionim i qartë në anën e atyre që dëshirojnë të errësojnë luftën e madhe çlirimtare dhe historinë e saj të ndritshme.

3. Deklaratat e saja, se do të angazhohet personalisht kundër pjesëtarëve të UÇK-së janë në kundërshtim me pozicionin shtetëror të Kosovës.

4. Deklaratat dhe qëndrimet e saja të vazhdueshme dëmtojnë jo vetëm pozicionin e mbrojtjes së të akuzuarve në Hagë por e vështirësojnë edhe mbrojtjen e tyre në liri.

5. Deklaratat dhe qëndrimet e saja kanë bërë që ajo të vetë ofrohet si dëshmitare vullnetare kundër të akuazuarve në Hage dhe kundër liderëve të UÇK-së.

6. Askush nuk ja ndalon asaj që të merret me mbrojtjen e të drejtave njeriut dhe me çështje humanitare si individ apo si përfaqësues i ndonjë Organizata Jo Qeveritare, por kjo nuk i lejohet nga pozita të cilën e mban aktualisht.

7. Nga pozita e një qytetare të lirë ajo mund të bëjë deklarata dhe të deponojë dëshmi kur të dëshirojë dhe nuk do të gjykohej ashtu sikurse po gjykohet tani.

8. Është e palogjikshme që ajo të jap deklarata dhe të ketë informata personale për krimet e kryera në Kosovë, edhe pse nuk ka jetuar asnjëherë këtu, e të mos ketë informata për vrasjen e babait të saj në Gjermani, ku ajo jeton që 30 vite.

9. Mund të tolerohen deklaratat e saja përqarëse dhe në dëm të imazhit të Kosovës që i ka bërë tash dy dekada me radhë si individ dhe si anëtare e një partie politike por nuk mund të tolerohen deklaratat e saj dhe dëmi që po i bën shtetit të Kosovë nga pozita e ministres së jashtme dhe udhëheqëses së diplomacisë shtetërore.

10. Në komunikime ndërkombëtare dhe sipas interpretimeve të së drejtës ndërkombëtare deklaratat e Presidentit, Kryeministrit dhe të Ministrit të Jashtëm janë qëndrime zyrtare të një shteti dhe në këtë rast deklaratat e Ministres së Jashtme konsiderohen si qëndrime zyrtare të Republikës së Kosovës.

11. Deklaratat publike dhe zyrtare të saj mund të përdoren nga kundërshtarët e shtetësisë së Kosovës dhe në mënyrë të veçantë nga Beogradi dhe Moska për të lobuar kundër praninit të shtetit të Kosovës në institucione dhe organizata ndërkombëtare.

12. Deklaratat dhe qëndrimet e një ministri të punëve të jashtme janë obliguese edhe për ambasadorët dhe diplomatët e atij vendi. Në rastin e Kosovës, përfaqësuesit tanë diplomatik do të duhej që ti bashkohen asaj që të shajnë dhe denigrojnë përfaqësuesit e UÇK-së dhe të lobojnë kundër mbrojtjes së tyre në liri.

13. Deklarata e saj si përfaqësues e Qeverisë së Kosovës për politikë të jashtme, logjikisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e Qeverisë së Kosovës si tërësi, qëndrimin e Kryeministrit të vendit, qëndrimin e Presidentit të shtetit dhe qëndrimin e Kuvendit të Kosovës.

14. Nëse këto deklarata do të ishin deklarata personale dëmi që do i shkaktohej vendit do të ishte më i vogël, por deklarimet nga pozita e ministres janë me efekt shumë më të madh diplomatik dhe juridik, prandaj për këtë qëllim ajo do të duhej të shkarkohej nga pozita zyrtare, për të parandaluar dëmin e pariparueshëm që po i bëhet vendit.

Dr.sc. Ferat Shala, Deputet i Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 05.05.2021

 


Qeveritë janë për të gjetur zgjidhje, jo për të krijuar konflikte!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me gjendjen në arsim...

Lexo më shumë...

Qeveria e emergjencave dhe kriza energjetike!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...

Disa rekomandime për lehtësimin e krizës energjetike në Kosovë

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...