Lexo

Në emër të popullit – me përfaqësim 11 %!

Dr.sc. Ferat Shala, shkrim autorial mbi zhvillimet e fundit politike në vend

Neni 2 i Kushtetutës përcakton: “Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute”.

Muajve të fundit, e veçanërisht javëve të fundit pas shkarkimit të qeverisë, është ashpërsuar gjuha në skenën politike të Kosovës mbi atë së kush e përfaqëson popullin ose kush e përfaqëson më shumë atë.

Çështja se kush e përfaqëson popullin, se si zgjidhen përfaqësuesit e popullit dhe cila është lidhja mes përfaqësuesit dhe të përfaqësuarit, është një temë e debatit politik, shoqëror, por edhe akademik mbase për shekuj më radhë. Mbi këtë temë janë ndërtuar doktrina politike, juridike e të tjera, dhe janë ndërtuar sisteme të ndryshme qeverisëse.

Por ky shkrim, nuk do të merret me këtë dimension. Shkrimi ka një synim konkret: të hedhë pak dritë mbi debatin aktual në skenën politike të Kosovës, pas rënies së qeverisë, mbi atë se kush e përfaqëson popullin e Kosovës.

Qeveria është shkarkuar pas votimit të mocionit të mosbesimit nga ana e Kuvendit të Kosovës, ku pro mocionit kanë votuar 82 deputet, nga 120 sa ka në tërësi Parlamenti i Kosovës. Rrëzimi i qeverisë u shoqërua me debate të ashpra politike midis vetë partnerëve që kishin formuar qeverinë, LVV-së dhe LDK-së. LVV u hodh në sulm më gjithë aparatin propagandistik për të sulmuar çdo deputet që e votoi atë mocion, duke u fyer në forma nga më të ndryshmet dhe duke u deklaruar se ata përfaqësojnë popullin dhe se 82 deputetët tjerë nuk kishin asnjë të drejte morale dhe politike në veprimin e tyre për ta rrezuar qeverinë.

Le të ndalemi pak të flasim për disa të vërteta të thjeshta mbi sistemin tonë zgjedhor dhe kushtetues, para se të hyjmë tek statistika konkrete nga rezultatet e zgjedhjeve te fundit të cilat rrëzojnë në tërësi pretendimet e LVV-së se ata janë përfaqësuesit e popullit të Kosovës.

Kosova ka një sistem zgjedhor proporcional. Në  një sistem proporcional është gati e pamundur që një parti politike e vetme të fitoj 51% të votave, pra shumicën absolute, që do t’i jepte të drejtën për të formuar vetë qeverinë. Në këto kushte çdo herë partia fituese duhet të bëjë një koalicion me partinë ose partitë e tjera në mënyrë që të arrijë numrin e nevojshëm të votave në kuvend për të formuar qeverinë. Prandaj, është e nevojshme që çdo individ që ka një pozicion në politikë dhe çdo parti politike të ruaj një minimum të korrektësisë politike dhe njerëzore sepse mund të vije në situatë kur pikërisht me ata që i ka sharë dhe fyer duhet të ulet e të bisedoi se si ta formoi një qeveri. Po nuk u kuptua kjo gjë ne do kemi probleme gjithmonë.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura me 6 tetor  2019, sipas KQZ-së komplet lista zgjedhore ka përfshi 1,961,213 qytetarë me të drejtë vote, por fletëvotime të vlefshme në kutitë e votimit u regjistruan 841,275, e thënë kjo në përqindje është 42.90%.

LVV morri 221,001 vota, apo e shprehur në përqindje 26.27% dhe kjo u përkthye në 29 deputet, dhe kështu LVV u rendit partia e parë në Kuvendin e Republikës.

Në seancën e mocionit të mosbesimit, qeveria e udhëhequr nga tani kryeministri në detyrë Albin Kurti, u rrëzua me 82 vota, dhe mori mbështetje nga vetëm 32 deputet prej 117 të pranishmëve në sallën e Kuvendit, apo shprehur në përqindje 26.67%!

Paradoksi, i kësaj Qeverie, e cila që nga fillimi filloi të flas në emër të “popullit”, duke pasur mbështetje vetëm prej 26.67% të të zgjedhurve të popullit – deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ky paradoks rritet edhe më shumë nëse e marrim parasysh të gjithë trupin e zgjedhur të Kosovës, edhe atë pjesën që nuk ka votuar fare, atë pjesën imune ndaj zhvillimeve politike në vend! LVV ka fituar 221,001 vota nga gjithsej 1,961,213, e që në përqindje i bie 11.27%. Si ka mundësi që dikush që ka marrë vetëm 11% të votave (mbështetjes) të ketë të drejtë absolute të flas dhe veproi në emër të qytetarëve – “në emër të popullit”?!

Përtej shifrave dhe qëndrimeve politike, është e nevojshme që edhe kur flasim se kush e përfaqëson popullin, t’i referohemi Kushtetutës. Neni 2 i saj përcakton: “Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute”.  Ky nen thotë qartë që sovraniteti buron nga populli dhe ushtrohet, ndër të tjera, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, që në këtë rast janë deputetët e kuvendit. Mbi këtë bazë janë 82 deputet që përfaqësojnë popullin e që kanë votuar për shkarkimin e qeverisë së drejtuar nga LVV.

Ferat Shala, Prishtinë 11.04.2020

 


Qeveritë janë për të gjetur zgjidhje, jo për të krijuar konflikte!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me gjendjen në arsim...

Lexo më shumë...

Qeveria e emergjencave dhe kriza energjetike!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...

Disa rekomandime për lehtësimin e krizës energjetike në Kosovë

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...