Lexo

Takime me njerëz të dhëshmuar të vlerave kombëtare!

Një shtrëngim duarsh me Jahir Demakun, njeriun që kurrë nuk u dha para sprovave të shumta të jetës. Tregimi për Jahirin dhe për vëllezërit e tij, është më shumë se një histori.

Me luftën dhe sakrificat e tyre Vëllezërit Demaku tashmë e kanë shkruar njërën nga faqet më të ndritshme të historisë së Kosovës. Familja Demaku, si një nga të paktat e Kosovës, dha shumë luftëtarë për lirinë, për pavarësinë dhe për shtetndërtimin; në luftë dha dëshmorë, ushtarë dhe komandantë të zotë – në paqe liderë të pashoqë. Në anën tjetër, për ironinë e fatit, më shumë se Vëllezërit Demaku askush nuk i pagoi padrejtësitë dhe absurditetet e pasluftës. Edhe pse dhanë shumë për lirinë, ajo për ta shpeshherë ka qenë e hidhur. Por, burgu i padrejtë ndaj vëllezërve të tij, Fadilit dhe Nexhatit, si dhe i katër vëllezërve Demaj, Jahir Demakut veçse ia shton krenarinë dhe mburrjen, sepse ai mbetet deri në fund një shpirt luftëtari.

Përjetim i veçantë ta takosh Hysen Gegën - njeriun që tërë jetën ia kushtoi Atdheut. Hysen Gega është një nga shumë dëshmitarët e mbijetuar të represionit të pashembullt politik serbo-jugosllav. Edhe pse vuajti shumë vite kazamateve të tito-komunizmit, kur u lirua më 1990, nuk e gjeti dot paqen në Kosovën e robëruar: menjëherë ngjeshi armët dhe luftoi krahë shumë djemve dhe vajzave të UÇK-së. Krijimin e ushtrisë së Kosovës e kishte pasur ideal qysh në rininë e hershme, kur bashkë me Jusuf e Bardhosh Gërvallen kishin ideuar projeksionet e luftës së pashmangshme për liri. Në vitin 2015, nga paratë që mori si dëmshpërblim për vitet e kaluara në burg, ai i ndau 10 mijë euro si donacion për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Për të gjallë të tij ëndrra e lirisë dhe ëndrra për Ushtrinë e Kosovës, u bënë realitet. Njerëzit si Hysen Gega janë arkitektët e vërtetë të Kosovës, sepse njerëzit si Hysen Gega kurrë nuk pretenduan t’i marrin ndonjë gjë Kosovës, por jetuan dhe punuan që t’i jepnin asaj çdo gjë.

Me veprimtarin e hershëm të çështjes kombëtare, Halil Krasniqin. Halili ishte shok dhe bashkëveprimtar i figurave qendrore të Lëvizjes sonë Kombëtare - i atyre që të parët e nisën luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës: Fadil Vatës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut ... e shumë, e shumë të tjerëve. Me mbi 40 vjet veprimtari Halili kurrë nuk di lodhje ... çdo herë me elanin e një djali të ri! Arsimtar me përkushtim të lartë dhe etikë intelektuale, Halil Krasniqi është modeli i personalitetit shqiptar që për ideal prore i ka porositë atdhetare të rilindësve kombëtarë shqiptarë. Pranë këtij veterani të Partisë Demokratike të Kosovës natyrshëm ndihet fitorja e padiskutueshme e 14 shkurtit.

Në Odën e Bacës së Madh të UÇK-së, Isuf Gashit, në Drenovc të Anadrinit. Tregimi për Bacën e UÇK-së, është njëri nga më qëndrestarët e luftës sonë për liri. Sakrificat dhe shërbimet që ia bëri për Kosovën, kurrënjëherë nuk mund të shpaguhen me asnjë lloj çmimi. Shtëpia e tij qysh herët u bë njëra nga bazat kryesore të UÇK-së, kurse vet ai njëri prej luftëtarëve të orëve të para. Kur krisi lufta frontale më 1998 Baca doli në istikame dhe si një burrë trim u dha zemër djemve trima të Anadrinit e Llapushës, në betejat më të përgjakshme. Në njërën nga to, në Betejën e Rahovecit, mori plagë të rënda. Edhe për kundër moshës, plagët nuk e ligështuan, as nuk e mposhtën. Baca sërish iu kthye betejave, deri në fitoren e plotë, më 1999. Sot, Baca, si një burrë fisnik e shumë i nderuar në mbarë Shqiptarinë, pret miq në Kullën e tij në Drenovc, dhe, natyrisht, i gëzohet lirisë për të cilën dha shumë.

 

 

 


Qeveritë janë për të gjetur zgjidhje, jo për të krijuar konflikte!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me gjendjen në arsim...

Lexo më shumë...

Qeveria e emergjencave dhe kriza energjetike!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...

Disa rekomandime për lehtësimin e krizës energjetike në Kosovë

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...