Lexo

Trepça, simbol i pasurive minerale dhe i qëndresës heroike! (Me rastin e fillimit të javës së minatorëve)

Të nderuar minator, Dita e 20 shkurtit, më kthen çdoherë në vitin 1989, kur Ju shënuat epopenë e lavdishme të minatorëve të Trepçës, duke organizuar një grevë të padëgjuar deri atëherë në botë. Trepça e cila deri atëherë ishte simbol i pasurive minerale të Kosovës, nga ai vit u shndërrua edhe në simbol të qëndresës heroike për të drejta qytetare e kombëtare. Ato tetë ditë të ngujimit tuaj në galeritë e minierave të Trepçës, bënë që të solidarizoheshin me Ju, të gjitha shtresat e shoqërisë kosovare. Edhe unë, aso kohe student në Mitrovicë, bashkë me shokët e kolegët e mijë studentë të FXM-së, u vumë në anën e juaj duke organizuar greva e protesta.

Që nga ajo kohë kam krijuar lidhje emocionale me Trepçën dhe rrethanat e sollën që në fund të vitit 2008, të bëhem menaxher i kësaj ndërmarrjeje. Për shkak të periudhave të vështira që kishte kaluar Trepça nën regjimin e masave të dhunshme serbe, por edhe të keqmenaxhimit pas luftës, ndërmarrja ishte në gjendje të mjerueshme. Për ta përkeqësuar edhe më tepër gjendjen, në fund të vitit 2008 dhe në vitin 2009 ndodhi kriza globale financiare, ku u tronditën si asnjëherë më parë, duke rënë në nivelet më të ulëta çmimet e metaleve me ngjyra.
Por unë, bashkë me ekipin tim drejtues të ndërmarrjes, duke njohur shpirtin e pamposhtur dhe luftarak të minatorëve dhe punonjësve të Trepçës, iu përveshëm punës për tu përballur me sfidat nga më të ndryshmet: sfida politike, sociale, juridike, mjedisore etj. Për një kohë të shkurtër, arritëm që ndërmarrjen, e cila deri atëherë punonte me humbje, ta kthejmë në ndërmarrje rentabël. Për tri vjet, ne gati i dyfishuam pagat, përmirësuam kushtet e punës, investuam në pajisje e makineri, trajnuam qindra djem të rinj dhe i punësuam në minierat e Trepçës, për tu bërë minatorë të vyeshëm duke u bërë bartës së traditës së zejes së minatorit. Po ashtu, me punën e përbashkët, ne arritëm ta tërheqim vëmendjen e shumë kompanive të njohura ndërkombëtare, për tu bërë partner të rëndësishëm afarist me Trepçën. Bëmë plane, projekte dhe botime shkencore e publicistike, për t’i promovuar vlerat e pasurive tona minerale duke dhënë edhe idetë për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat përballet ndërmarrja.
Të dashur minatorë,
Me punën tonë të përbashkët vetëmohuese, mbi të gjitha ne arritëm ta kthejmë besimin te minatorët dhe punonjësit e kësaj ndërmarrje, por edhe te qytetarët e Mitrovicës me rrethinë, se Trepça është një pasuri e madhe që na e ka falë Zoti, e cila do ta fuqizojë ekonominë e Republikës së Kosovës. Në fund, në këtë ditë të shënuar të përvjetorit të Grevës së Minatorëve, ju uroj përzemërsisht festën e minatorëve dhe me FAT!
I juaji, Ferat Shala

 


Qeveritë janë për të gjetur zgjidhje, jo për të krijuar konflikte!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me gjendjen në arsim...

Lexo më shumë...

Qeveria e emergjencave dhe kriza energjetike!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...

Disa rekomandime për lehtësimin e krizës energjetike në Kosovë

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...